Zanafilla 11

Albanian

Study the Inner Meaning

← Zanafilla 10   Zanafilla 12 →

1 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.

2 Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.

3 Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t'i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.

4 Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".

5 Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.

6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.

7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".

8 Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.

9 Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.

10 Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes.

11 Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.

12 Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu.

13 Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.

14 Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi.

15 Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.

16 Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu.

17 Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

18 Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.

19 Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

20 Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu.

21 Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

22 Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori;

23 mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.

24 Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu;

25 mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.

26 Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.

27 Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti.

28 Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve.

29 Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut.

30 Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë.

31 Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty.

32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.

← Zanafilla 10   Zanafilla 12 →
Study the Inner Meaning

Main explanation(s) from Swedenborg's works:

Arcana Coelestia 1279, 1280, 1281, 1282

Inner Meaning of Prophets and Psalms 412

Commentary on this chapter:

Other references by Swedenborg to this chapter:

Arcana Coelestia 470, 482, 575, 737, 1020, 1183, 1221, ...

Apocalypse Revealed 717

The Last Judgment 54, 58

Show references from Swedenborg's unpublished works


Translate:
Share: